98 mln euro për Elbasan–Qafë Thanë dhe Elbasan–Rrogozhinë, 1/4 e fondeve të ARRSH për 2025
Korridori VIII rezultoi një nga projektet më të financuara rrugore në vitin 2025, duke përthithur mbi një të katërtën e pagesave totale të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Ndërtimi i Korridorit VIII ka qenë një nga projektet kryesore të financuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave nga Open Spending Albania, për këtë vepër rrugore janë paguar rreth 9 miliardë lekë, ose afërsisht 98 milionë euro, duke përbërë rreth 27 për qind të totalit të pagesave të kryera nga ARRSH gjatë vitit që lamë pas.
Në detaje, rreth 5 miliardë lekë janë alokuar për segmentin Elbasan–Qafë Thanë, ndërsa rreth 4 miliardë lekë të tjera janë përdorur për segmentin Elbasan–Rrogozhinë.
Ecuria e punimeve në segmentin Elbasan–Qafë Thanë
Pagesat e kryera për lotet e Korridorit VIII reflektojnë drejtpërdrejt ecurinë e punimeve në terren, pasi një pjesë e segmenteve pritet të përfundojnë brenda këtij viti. Në drejtimin nga Elbasani në Qafë Thanë, përveç lotit I, i cili tashmë ka përfunduar, parashikohet edhe përmbyllja e fazave II, III dhe V.
Së bashku, këto faza përfshijnë segmentin që nis nga Labinot-Fushë dhe përfundon në qytetin e Librazhdit. Në këtë drejtim janë në total 8 kontrata aktive, që mbulojnë një gjatësi prej rreth 26 kilometrash, për të cilat janë realizuar pagesa gjatë vitit 2025.
Segmenti Elbasan–Rrogozhinë, përfundime në 2026
Ndërkohë, në drejtimin nga Elbasani drejt Rrogozhinës, pritet që brenda vitit 2026 të përmbyllen 6 lote të tjera të Korridorit VIII. Këto lote mbulojnë rreth 20 kilometra nga 40.7 kilometra që është gjatësia totale e këtij segmenti.
Lotet që pritet të përfundojnë gjatë vitit të ardhshëm arrijnë deri në afërsi të qytetit të Peqinit, ndërsa punimet në pjesët e tjera do të vijojnë paralelisht.
Standardi i ri i rrugës
Pas përfundimit të plotë të punimeve, aksi Elbasan–Qafë Thanë dhe Elbasan–Rrogozhinë do të klasifikohet si rrugë e kategorisë B, interurbane, me nga dy korsi lëvizjeje për secilin kah. Ky standard synon të përmirësojë ndjeshëm sigurinë dhe fluksin e qarkullimit në një nga korridoret më të rëndësishme kombëtare dhe rajonale.